Analisti politik Dugagjin Gorani, i ftuar në emisionin “Forum” në DTV Media, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me theks të veçantë te deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me zgjedhjen e presidentit dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Gorani ka kritikuar qasjen e Kurtit, duke thënë se brenda një kohe të shkurtër janë ndryshuar disa herë emrat e përmendur për postin e presidentit.
“Kurti po i ndërron kandidatët për president çdo 10 minuta”, ka deklaruar Gorani, duke i cilësuar deklaratat e kryeministrit si kontradiktore.
Sipas tij, qasja e ndërtimit të marrëveshjeve politike përmes shkëmbimit të mbështetjes për Ligjin për Dhomat e Specializuara me votat për presidentin ka kaluar çdo masë.
“Qasja e pazareve është tepruar”, ka thënë Gorani, duke komentuar përplasjet dhe ofertat e fundit mes Vetëvendosjes dhe PDK-së.
Deklaratat e tij vijnë në një ditë tejet të tensionuar për politikën kosovare. Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës ka dalë me disa propozime për zgjidhjen e ngërçit rreth zgjedhjes së presidentit.
Fillimisht, Kurti ka kërkuar mbështetje për kandidaturën e Bekim Sejdiut, pavarësisht se Sejdiu ka bërë të ditur se është tërhequr nga gara. Më pas, në një tjetër konferencë, Kurti ka përmendur Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin si dy emra të mundshëm për president.
Kurti ka propozuar që, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president, Vetëvendosje të votojë paraprakisht në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka kundërshtuar këtë qasje, duke argumentuar se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk duhet të shndërrohet në pjesë të një pazari politik për zgjedhjen e presidentit.
Në këtë situatë, protesta para Kuvendit ka vazhduar edhe më 6 tetor, ndërsa vendi është përballur me presion të madh politik rreth dy çështjeve: votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së presidentit.
Së fundmi Kurti propozi Justina Shiroka Pulën për kandidate për presidente.
Gorani, duke analizuar këtë situatë në “Forum”, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si po zhvillohen negociatat politike dhe ndryshimet e njëpasnjëshme të ofertave për postin e presidentit.
