Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) do të protestojnë të hënën, më 12 tetor, para objektit të Gjykatës Supreme, për shkak të mosrealizimit të pagave tash e gati tre muaj.
Protesta është paralajmëruar të nisë në orën 10:00, ndërsa punëtorët kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin hapa urgjentë për zgjidhjen e situatës dhe mundësimin e pagesës së pagave.
Sipas njoftimit të punëtorëve, bllokimi i llogarive bankare të ndërmarrjes, si pasojë e një vendimi gjyqësor, ka pamundësuar realizimin e pagave.
Ata thonë se kjo situatë po u shkakton vështirësi të mëdha financiare dhe po ua pamundëson përmbushjen e obligimeve personale dhe familjare.
Përmes protestës, punëtorët synojnë të shprehin shqetësimet e tyre dhe të kërkojnë një zgjidhje konkrete e institucionale për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Tre muaj pa paga nuk janë vetëm një çështje financiare. Kjo është një situatë që prek drejtpërdrejt jetën, dinjitetin dhe mirëqenien e punëtorëve dhe familjeve të tyre”, thuhet në njoftim.
Punëtorët kanë ftuar mediat që ta përcjellin protestën dhe t’u japin hapësirë për të paraqitur kërkesat dhe vështirësitë me të cilat po përballen.
