Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të thërrasë mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, pas dy ngjarjeve tragjike që kanë tronditur qytetin ditëve të fundit.
Përmes një statusi, Hyseni ka bërë të ditur se pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi të premten, Gjilani është përballur edhe me një incident tjetër të rëndë sonte, ku një person ka humbur jetën.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën të afërmit e tyre, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Hyseni ka theksuar se në mbledhjen urgjente do të koordinohen hapat e menjëhershëm me udhëheqjen e Policisë së Kosovës dhe organet e tjera përgjegjëse për të garantuar rendin publik dhe sigurinë në të gjitha pjesët e komunës.
“Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë është prioriteti ynë kryesor institucional”, ka shkruar Hyseni.
Në fund, kryetari i Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve për maturi, qetësi dhe bashkëpunim me organet e rendit, duke theksuar se komuna do të shfrytëzojë të gjitha kompetencat e saj për të kontribuar në menaxhimin dhe parandalimin e rasteve të tilla.
