Analisti politik Jeton Zogjani, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe disa prej përfaqësuesve të tij, në kuadër të debatit për ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara në Hagë.
Zogjani ka ngritur pikëpyetje për besueshmërinë e disa akterëve ndërkombëtarë, duke përmendur Federica Mogherinin dhe Miroslav Lajçakun, ndërsa ka vënë në dyshim se si duhet të trajtohen me seriozitet qëndrimet e tyre.
“Qysh me marrë BE-në seriozisht, ose Mogherinin, të cilën e kanë zënë me drogë? Qysh me i marrë seriozisht këta akterë, kur thonë: ‘Ngoni se qiknej është drejt’?”, ka deklaruar Zogjani, sipas diskutimit në emision.
Ai ka theksuar se, sipas tij, Kosova duhet të ketë partnerë seriozë ndërkombëtarë, duke kujtuar periudhën kur u themelua Gjykata Speciale dhe duke përmendur ish-presidentin amerikan Barack Obama dhe ish-kancelaren gjermane Angela Merkel.
Përveç kritikave ndaj akterëve ndërkombëtarë, Zogjani ka folur edhe për protestat kundër Gjykatës Speciale dhe kërkesat e paraqitura nga organizatorët e tyre.
Sipas tij, një nga veprimet që është dashur të bëhej ishte vazhdimi i protestave, ndërsa ka kritikuar edhe largimin e skeleve të vendosura në shesh, duke vlerësuar se protestat nuk është dashur të ndërpriteshin.
Zogjani ka kujtuar se, sipas tij, në fillim ishin paraqitur tri kërkesa kryesore: dorëheqja e Donika Gërvallës, ndarja e fondeve për procesin e Apelit dhe miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në këtë kontekst, ai ka ngritur pyetjen se pse protestat u ndalën dhe pse nuk vazhdoi presioni për realizimin e këtyre kërkesave.
Deklaratat e Zogjanit vijnë në kohën kur në Kosovë po zhvillohet debat për ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara në Hagë, kritikat e Bashkimit Evropian dhe mënyrën se si institucionet e Kosovës duhet të veprojnë në raport me partnerët ndërkombëtarë.
