Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë homazhe në nderim të intelektualit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Idriz Rrecaj, eshtrat e të cilit u gjetën në një varr masiv në Zubin Potok, pas 27 vitesh.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka vlerësuar jetën, veprën dhe sakrificën e Rrecajt, duke theksuar kontributin e tij për Kosovën në periudhat më të vështira.
“Madhështia e njerëzve si Idriz Rrecaj qëndron pikërisht këtu, ata nuk pritën që liria të vinte për t’i shërbyer Kosovës. I shërbyen atëherë kur kjo mund t’u kushtonte gjithçka”, ka shkruar Rama.
Ai ka shprehur respekt dhe mirënjohje për familjen Rrecaj, e cila për 27 vjet është përballur me dhimbjen dhe pasigurinë për fatin e familjarit të saj.
“Respekt dhe mirënjohje të thellë për familjen Rrecaj, e cila për 27 vjet e përballoi me dinjitet dhimbjen e mungesës dhe pasigurinë për fatin e më të dashurit të saj”, ka theksuar ai.
Rama ka deklaruar se gjetja e eshtrave të Rrecajt në një varr masiv në Zubin Potok është dëshmi se krimet e luftës nuk mund të fshihen me kalimin e kohës.
“Gjetja e eshtrave të tij në një varr masiv në Zubin Potok është dëshmi se koha nuk i fshin krimet e luftës”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Në fund, Rama ka theksuar se, pavarësisht zhdukjes fizike, vepra dhe ideali i Idriz Rrecajt do të mbeten të paharruara.
“Idriz Rrecajn e zhdukën fizikisht, por nuk arritën ta zhduknin as veprën, as idealin, as emrin e tij. Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar Rama.
