Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se viti 2027 do të jetë vit i zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka theksuar rëndësinë e demokracisë, garës së drejtë dhe vlerësimit të kontributit të atyre që e kanë ndërtuar LDK-në ndër vite.
Ai ka thënë se gara e brendshme duhet të zhvillohet pa paragjykuar se kush është kandidati më i mirë, duke shtuar se secili duhet ta dëshmojë meritën përmes kontributit dhe suksesit personal.
“Pa e hapur garën zgjedhore e kalendarin në të gjitha nivelet, nuk i kontribuojmë demokracisë së saj nëse shkaktojmë debat se kush është më i miri për garën e brendshme”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se qëllimi i LDK-së duhet të jetë rikthimi i besimit të qytetarëve dhe bashkimi i shqiptarëve, duke ruajtur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Haziri ka bërë thirrje për mirëbesim, bashkëpunim dhe marrëveshje, në mënyrë që gara e ardhshme zgjedhore ta bashkojë qytetarin rreth LDK-së.
“Secili që mundet, përmes shembullit personal të suksesit, kontributit e meritës, duhet të garantojë rikthimin e madh të LDK-së. Ai apo ajo le të ftohet nga votuesit për besim në garë”, ka shkruar ai.
