Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi një kilogram kokainë, një sasi marihuane, armë automatike dhe municion gjatë bastisjes së shtëpisë së një personi të dyshuar në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Policisë, bastisja është kryer të martën, nga hetuesit e Sektorit Rajonal për Trafikim me Narkotikë, në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar, të lindur në vitin 2004, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 1 kilogram e 9 gramë kokainë dhe 4.14 gramë marihuanë.
Në mesin e gjërave të konfiskuara është edhe një armë automatike, një karikator me 24 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy karikatorë me gjithsej 20 fishekë të kalibrit PPU 32.
Policia ka sekuestruar edhe 1 mijë e 175 euro, 200 franga zvicerane, një dollar amerikan, 200 lekë dhe 100 rubla ruse. Gjatë bastisjes janë gjetur gjithashtu dy telefona iPhone, njëri prej tyre i dëmtuar, një peshore elektrike dhe një fletore me shënime të ndryshme.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndalimin policor të të dyshuarit për 48 orë.
Sipas Policisë, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar sipas detyrës zyrtare.
