Kaltrina Rexhepi Dragusha, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNJ), e ftuar në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për vrasjen e rëndë të Arlinda Zekajt, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si institucionet e vlerësuan rrezikun me të cilin përballej viktima.
Dragusha tha se Arlinda e kishte shprehur rrezikun, por, sipas saj, prokuroria nuk e kishte vlerësuar atë në mënyrën e duhur.
Ajo theksoi se, në rastet e dhunës në familje, përgjegjësia për mbrojtjen e viktimave nuk mund të mbështetet vetëm në vendimet apo dëshirat e tyre, por kërkon edhe ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, të cilat duhet të vlerësojnë rrezikun dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre.
“Shpeshherë kemi parë viktima që nuk duan të shkojnë në strehimore, por është shteti ai që vendos për sigurinë e qytetarëve, sidomos kur bëhet fjalë për viktimat”.
Sipas Dragushës, personat që përjetojnë dhunë nuk janë gjithmonë të vetëdijshëm për rrezikun real që u kanoset. Shpresa se situata nuk do të përkeqësohet dhe se dhuna nuk do të përsëritet mund t’i bëjë ata ta nënvlerësojnë rrezikun.
Ajo u ndal edhe te dëshira e Arlindës për t’u bashkuar me djalin e saj, duke theksuar se e ndjera nuk e kishte besuar se situata do të përfundonte në mënyrën më të rëndë.
