Avokati Skender Musa ka bërë deklarata të rënda në emisionin “Forum” në DTV Media, duke kritikuar reagimin e institucioneve pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe duke kërkuar që të hetohet përgjegjësia e të gjithë zyrtarëve që mund të kenë dështuar të veprojnë.
“Vlera e jetës së një gruaje dhe e një qytetari në Kosovë sot është sa një plumb”, është shprehur Musa, duke vënë në pikëpyetje veprimet që janë ndërmarrë para se të ndodhte vrasja.
Ai ka ngritur një varg pyetjesh lidhur me rrethanat e rastit: pse kunati e vrau kunatën, kush e shtyu drejt këtij akti dhe kush e solli atë në shtëpi? Po ashtu, ai ka pyetur nëse viktima i kishte njoftuar institucionet për rrezikun dhe nëse policia e prokuroria kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Musa ka kërkuar të sqarohet nëse kryeprokurori i Pejës dhe kryeprokurori i Kosovës ishin të informuar për rastin dhe çfarë veprimesh kishin ndërmarrë.
“Jo të gjithë po i them përgjegjës, por të gjithë duhet të hetohen”, ka qenë mesazhi i avokatit, i cili ka insistuar se përgjegjësia duhet të përcaktohet përmes hetimeve.
Në këtë kontekst, Musa ka përmendur edhe letrën e Ardita Zekajt, për të cilën tha se përmbante një paralajmërim të qartë për rrezikun që i kanosej.
“Veproni para se të më vrasin mua”, citoi Musa mesazhin e saj, duke ngritur pyetjen nëse institucionet e kishin trajtuar me seriozitet paralajmërimin.
