Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka komentuar në emisionin “Forum” në DTV Media vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke e cilësuar atë si një vrasje makabre.
Gjini ka thënë se gjatë këtij viti Kosova është përballur me shumë raste të rënda të vrasjeve, ndërsa ka përmendur shifrën prej tetë vrasjesh të kryera nga familjarë ose persona të afërt.
Sipas tij, aspekti më shqetësues në rastin e Arlinda Zekajt është fakti se tashmë është bërë e ditur se ajo kishte kërkuar ndihmë, por nuk e kishte marrë atë.
Ai ka vlerësuar se kjo e bën situatën edhe më të ndërlikuar, pasi ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si trajtohen rastet kur qytetarët kërkojnë mbrojtje nga institucionet.
“Policia dhe prokuroria nuk mund të jenë gjithkund, çdo ditë”, ka thënë Gjini, duke theksuar megjithatë se rasti i Arlindës dëshmon nevojën për të rishikuar shumë çështje në Kosovë, veçanërisht reagimin institucional kur një person kërkon ndihmë dhe mbrojtje.
Sipas tij, fakti që Arlinda kishte kërkuar ndihmë në disa raste, por ajo kishte munguar, e bën të domosdoshëm një shqyrtim më të thellë të mënyrës se si funksionojnë mekanizmat e mbrojtjes së qytetarëve.
