Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gjatë konferencës, Gërvalla bëri të ditur se raporti ende nuk është i plotë, ndërsa theksoi se nga shqyrtimi i dokumentacionit janë evidentuar mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale.
“Më 26 tetor, pra një ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. kërkoi nga dy ministritë tona, pra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë që brenda kompetencave tona dhe brenda 72 orëve të paraqesim raport të detajuar lidhur me atë çka dinë institucionet lidhur me këtë rast tragjik.
Dje, më 29 tetor, Kryeministrit i është dorëzuar raporti i hartuar nga Zyra e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore. Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse dhe analizon veprimet por edhe mosveprimet e tyre nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt, më 10 korrik, e deri te vrasja e saj, më 25 tetor 2026. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë, sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre, madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje presim ende dokumentacion shtesë dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze, vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, deklaroi Gërvalla.
