Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë dalë në konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Gërvalla, në deklarimin e saj, ka thënë se vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar, duke vënë në pikëpyetje veprimet dhe mosveprimet e institucioneve.
Ajo ka ngritur dyshime edhe për mundësinë e ndikimeve të jashtme, përfshirë ato nga qarqe politike apo kriminale.
“Nuk është detyra jonë të gjejmë arsyetime për institucionet, por përgjigje për veprimet apo mosveprimet. Vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar. A mund të shpjegohen të gjitha këto mosveprime vetëm me neglizhencë, apo ka pasur ndikime të jashtme, përfshirë ndikime nga qarqe politike apo kriminale”, ka deklaruar Gërvalla.
Megjithatë, ajo ka theksuar se raporti nuk përmban prova të drejtpërdrejta për ndikime të tilla, por se përmasat e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie.
Në konferencë, Gërvalla nuk ka paralajmëruar dorëheqjen e saj nga posti i ministres.
