Ish-ambasadorja e Kosovës, Alma Lama, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas konferencës së tyre për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Lama ka vlerësuar se asnjëri prej tyre nuk po merr përgjegjësi institucionale dhe politike për atë që ka ndodhur, duke e cilësuar rastin si dështim të plotë të institucioneve që ata drejtojnë.
Sipas saj, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë për muaj të tërë, duke trokitur në dyert e Policisë, gjykatave dhe Prokurorisë, por nuk kishte arritur të gjente mbrojtjen e nevojshme nga institucionet.
Lama ka theksuar si veçanërisht shqetësuese faktin se Arlinda u vra vetëm pak minuta pasi Policia e kishte përcjellë për në shtëpinë e saj, duke ngritur kështu pikëpyetje serioze për trajtimin e rastit dhe përgjegjësinë institucionale.
Ajo ka insistuar se Sveçla dhe Gërvalla nuk duhet t’i shmangen përgjegjësisë politike dhe se dorëheqja e tyre do të ishte një hap i nevojshëm në raport me qytetarët.
Lama ka renditur disa arsye pse, sipas saj, dorëheqjet janë të domosdoshme: llogaridhënia ndaj qytetarëve, marrja e përgjegjësisë për dështimet institucionale dhe rikthimi i besimit të publikut në institucionet shtetërore.
Sipas ish-ambasadores, besimi i qytetarëve në këto institucione është dëmtuar rëndë dhe largimi i dy ministrave do të mund të shërbente si një hap drejt rikthimit të këtij besimi.
Deklaratat e Alma Lamës vijnë në një kohë kur rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta, ku qytetarët po kërkojnë drejtësi, llogaridhënie dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhelal Sveçla dhe ministres Donika Gërvalla, duke vënë në qendër të reagimit të tyre dështimin e mekanizmave institucionalë për të mbrojtur viktimat e dhunës.
