Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka ngritur shqetësimin për rregullën e re të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila lidhet me konsumatorët që dëshirojnë të instalojnë panele diellore për nevojat e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka bërë të ditur se ZRRE ka publikuar Koncept-Dokumentin për rregullën e re, ndërsa qytetarët dhe bizneset kanë mundësi të paraqesin komentet, sugjerimet dhe kundërshtimet e tyre deri më 6 nëntor.
Ajo ka theksuar se deri më tani ankesat për këtë rregullë janë ngritur kryesisht nga kompanitë e instalimit, por sipas saj, ndryshimet e propozuara prekin drejtpërdrejt edhe leverdinë ekonomike të investimit për qytetarët dhe bizneset.
Ymeri u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që ta shfrytëzojnë afatin për të shprehur qëndrimet e tyre lidhur me dokumentin.
“Mos m’thoni tani s’e kemi dit”, ka shkruar ajo në fund të postimit.
