Seanca e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës kishte përfunduar, por një incident i raportuar pas saj ka përfunduar në duart e Policisë. Dardane Sogojeva Shala ka denoncuar se është kanosur nga Rilind Berisha, ndërsa për të sqaruar çfarë kishte ndodhur, hetuesit kanë marrë në pyetje tre dëshmitarë.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 30 tetor, pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal, në Fushë Kosovë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, një ditë më vonë, më 31 tetor, rreth orës 16:00, Sogojeva Shala është paraqitur në Stacionin Policor të Fushë Kosovës, ku ka denoncuar Rilind Berishën për kanosje.
Tre persona janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa edhe Rilind Berisha është marrë në pyetje si i dyshuar, në praninë e avokatit të tij të autorizuar.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorinë, Berisha është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar nën dyshimin për veprën penale “Kanosja”.
Ende nuk janë bërë të ditura fjalët apo veprimet konkrete që kanë nxitur denoncimin, ndërsa nuk është sqaruar nëse incidenti kishte lidhje me diskutimet gjatë seancës së Kuvendit Komunal.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
