Dy persona, një 27-vjeçar dhe vajza e tij tre muajshe, janë gjetur të vdekur të dielën në një shtëpi në fshatin Demiraj të Gjilanit.
Rasti është raportuar më 1 nëntor, rreth orës 08:47, kur Policia e Kosovës ka pranuar informatën për dy persona pa shenja jete në këtë fshat.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi mjekësor, ku është konstatuar vdekja e të dy viktimave.
Viktimat janë identifikuar si Adonis Demiri, 27-vjeçar, dhe vajza e tij rreth tre muajshe. Nëna e foshnjës nuk jetonte në të njëjtën shtëpi me ta.
Sipas dyshimeve të raportuara, 27-vjeçari fillimisht dyshohet se e ka privuar nga jeta vajzën e tij tre muajshe.
Më pas, babai i tij, 65-vjeçar, dyshohet se e ka mbytur të birin me litar.
Këto rrethana nuk janë konfirmuar ende zyrtarisht nga organet e hetuesisë.
Policia e Kosovës ka arrestuar babanë e 27-vjeçarit, i cili dyshohet për përfshirje në rast. Ai është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit. Personi i arrestuar është identifikuar si Brahim Demiri.
Fillimisht, rasti ishte iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa më pas është rikualifikuar në “Vrasje e rëndë”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.
