Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në emisionin RTK Prime ka folur për strategjinë e Kosovës në Apel të Speciales, duke theksuar se Kosova duhet të jetë mbështetëse e drejtësisë dhe jo penguese e saj.
Haxhiu tha se mënyra më e mirë për t’u përballur me atë që e cilësoi si padrejtësi është hartimi i një strategjie, e cila do t’u mundësojë ekipeve mbrojtëse të kenë mbështetjen e nevojshme.
Ajo theksoi se grupi punues, i kryesuar nga Glauk Konjufca, tashmë ka mbajtur takimet e para, por se procesi është konfidencial.
“Ngutia që në atë mënyrë, pa konsultime paraprake, të procedohej një ligj, kaq i ndjeshëm, ka qenë për mua e paarsyeshme. Ne kemi thënë se mënyra më e mirë për t’u përballur me këtë padrejtësi është strategjia. Vazhdojë të mendoj njësoj, kam mirëpritur vendimin për strategjisë, që kryesohet nga Glauk Konjufca. Pra, ky grup punues, me përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve parlamentare, jam shumë e bindur se do të arrijë të hartojë një strategji me të cilën do të arrijmë të jemi mbështetës, jo pengues të drejtësisë, por vetëm t’i ndihmojmë ekipet mbrojtëse në çfarëdo kërkese apo nevoje që ato kanë. Tashmë janë mbajtur takimet e këtij grupi punues. Unë nuk mund të flas më tepër, sepse ky proces është i mbyllur dhe konfidencial. Mund vetëm të theksoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës do t’i adresojë çfarëdo kërkese që ka ky grup punues”, tha Haxhiu.
Në intervistë, Haxhiu do të flasë edhe për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend dhe rajon, përfshirë vrasjen e Arlinda Zekajt, zbatimin e ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, protestat në Shqipëri dhe zhvillimet politike në Serbi.
