Ka dështuar mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, në të cilën ishte paraparë raportimi i anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Shkak për mosmbajtjen e saj ishte mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, sipas kryetarit të komisionit, Arben Mustafa, kishin kërkuar shtyrjen e mbledhjes përmes një emaili të dërguar vetëm 15 minuta para fillimit.
Mustafa e cilësoi këtë veprim si të papërgjegjshëm dhe jo serioz, duke theksuar se për mbledhje ishin njoftuar edhe mediat dhe ishin ftuar përfaqësuesit e institucioneve që duhej të raportonin.
“Është e papërgjegjshme të kërkohet 15 minuta para se të fillojë mbledhja që ajo të shtyhet”, deklaroi Mustafa, duke shtuar se mungesa e deputetëve bëri që komisioni të mos kishte kuorum.
Në rend dite ishte edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë, i cili nuk ishte trajtuar as në mbledhjen e kaluar për shkak të mungesës së përfaqësuesve të ministrisë.
Ndërkohë, Mustafa bëri të ditur se komisioni ka pranuar disa shkresa dhe dëshmi nga anëtarë e punonjës të Autoritetit të Konkurrencës, të cilët kanë ngritur pretendime për parregullsi në funksionimin e këtij institucioni.
Sipas tij, më 16 tetor 2026, dy anëtaret e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Kaltrina Sela dhe Nafije Osdautaj, kanë dërguar një shkresë ku pretendojnë se u është pamundësuar ushtrimi i rolit të tyre dhe se kryetarja e këtij autoriteti, Naime Binaku-Isufi, ka bërë shkelje ligjore.
Shqetësime, sipas Mustafës, kanë ngritur edhe dy punonjës të institucionit, Shemsi Lezi dhe Gresa Latifi, të cilët kanë raportuar përmes sinjalizimit pretendime për parregullsi.
Kryetari i komisionit paralajmëroi se mosfunksionimi i Autoritetit të Konkurrencës mund të krijojë hapësirë për marrëveshje të fshehta ndërmjet bizneseve dhe abuzim me pozitën dominuese, me pasoja për ekonominë dhe qytetarët.
Pretendimet për parregullsi në Autoritetin e Konkurrencës mbeten për t’u trajtuar dhe verifikuar nga organet përkatëse.
