Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë për politikat ekonomike, duke ngritur shqetësime për deficitin e lartë tregtar dhe mungesën e mbështetjes për prodhuesit dhe fermerët vendorë.
Përmes një reagimi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Aleanca ka deklaruar se Kosova vazhdon të jetë shumë e varur nga importi, ndërsa prodhimi vendor, sipas saj, nuk po merr vëmendjen dhe përkrahjen e nevojshme institucionale.
Sipas shifrave të prezantuara nga AAK-ja, për çdo një euro mallra që Kosova eksporton, importon 7.5 euro nga jashtë.
Partia opozitare ka theksuar se vetëm gjatë vitit 2025, vlera e importeve ka qenë për 6.1 miliardë euro më e lartë sesa ajo e eksporteve, duke e cilësuar këtë situatë si shqetësuese për zhvillimin ekonomik të vendit.
Aleanca ka kritikuar ekzekutivin për mënyrën se si po e paraqet gjendjen ekonomike, duke pretenduar se Qeveria po mburret me të hyrat e mbledhura nga qytetarët, ndërkohë që bizneset prodhuese dhe fermerët vazhdojnë të përballen me kosto të larta.
“Kosova nuk mund të zhvillohet duke blerë gjithçka nga të tjerët e duke e lënë prodhimin e vet pas dore”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Në këtë drejtim, AAK-ja ka rikujtuar propozimet e saj ekonomike, të përfshira në planin gjashtëpikësh, përmes të cilit synon të krijojë kushte më të favorshme për prodhimin vendor dhe zhvillimin e bizneseve.
Ndër masat e propozuara janë rritja e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë, shfrytëzimi i gazit amerikan dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, me qëllim sigurimin e furnizimit më të qëndrueshëm dhe uljen e kostove për ekonominë.
Po ashtu, Aleanca ka propozuar heqjen e tatimit në pronë për fermerët dhe lehtësimin e barrës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset e vogla.
Sipas kësaj partie, mbështetja e prodhimit vendor dhe fuqizimi i sektorit privat janë ndër hapat kryesorë për zvogëlimin e varësisë së Kosovës nga importi dhe përmirësimin e bilancit tregtar.
