Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën pasdite në Vushtrri, ku një 61-vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Policia po e heton rastin si vdekje të dyshimtë, ndërsa nga rrethanat fillestare dyshohet se bëhet fjalë për vetëvrasje.
Sipas informacioneve, viktima është Musa Xhema (61), ndërsa ngjarja ka ndodhur më 8 nëntor, rreth orës 16:10, në rrugën “Lumni Surdulli” në Vushtrri.
Rasti është raportuar nga një familjare, e cila ka kërkuar ndërhyrjen e ekipit të emergjencës dhe të Policisë.
Me të mbërritur në vendngjarje, ekipi mjekësor ka konstatuar se 61-vjeçari ishte pa shenja jete.
Sipas konstatimeve fillestare të Policisë, ekzistojnë dyshime se viktima i ka dhënë fund jetës në shtëpinë e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe përfaqësuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë ndërmarrë veprimet përkatëse për ekzaminimin e rastit.
Në cilësinë e dëshmitareve janë intervistuar edhe bashkëshortja dhe vajza e viktimës.
Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.
