Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ndryshimeve në ambientet e Presidencës së Kosovës, ku fotografia e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë nuk ndodhen më në vendet e tyre të mëparshme.
Abdixhiku e ka cilësuar këtë veprim si vendim të gabuar, duke theksuar se Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë themelet e shtetësisë së Kosovës dhe duhet të kenë vendin e tyre në institucionin më të lartë shtetëror.
“Largimi i tyre është një vendim i gabuar. Presidenca ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën shtetërore dhe ta nderojë historinë mbi të cilën është ndërtuar shteti që përfaqëson. Kjo përgjegjësi qëndron mbi preferencat personale dhe dallimet politike”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kreu i LDK-së i ka bërë thirrje presidentes Justina Shiroka Pula që ta rishikojë këtë vendim dhe t’i rikthejë fotografinë e Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre.
“Prandaj, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ftoj Presidenten ta rishikojë këtë vendim dhe t’i rikthejë fotografinë e Presidentit Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendin e tyre. Historia që ato përfaqësojnë na përket të gjithëve. Do t’i bënte nder edhe asaj. Siç i bën nder sot ky portret edhe Parlamentit Evropian”, ka përfunduar ai.
