Është ndërprerë seanca e sotme ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati, në vitin 2011.
Sipas raportimeve, ndërprerja erdhi pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku, i cili kundërshtoi zhvillimin e seancës, duke thënë se kjo nuk është drejtësi, pasi që aktakuza kishte vite që ndodhej në Gjykatë, ndërsa seanca po caktohet vetëm pas ngjarjeve të fundit në Kosovë.
Millaku deklaroi se, ndonëse që nga viti 2011 kishte autorizim për ta mbrojtur Jasharin, deri më sot nuk e kishte pranuar aktakuzën e ngritur ndaj klientit të tij.
Ai kërkoi që seanca e sotme të ndërpritej.
Gjatë seancës, avokati reagoi edhe ndaj prokurorit, i cili tha se shkresat e lëndës i ishin dorëzuar mbrojtjes sipas detyrës zyrtare.
“Është cenuar edhe e drejta si kategori kushtetuese, si mbrojtës nuk jam trajtuar siç kërkon ligji. Në asnjë veprim procedural që kanë bërë organet e ndjekjes para aktakuzës së ngritur dhe asnjëherë nuk më është dhënë qasje në dokumente dhe dosjen e kësaj çështjeje, edhe pse unë sot pranova aktakuzën nga gjykata. Nuk më janë plotësuar as kërkesat që të pajisem me shkresat e lëndës. Me marrë unë vesh prej mediave kur ka gjykim, gjithçka mund të quhet, por jo drejtësi. Kërkoj që seanca e sotme nga ky moment të ndërpritet, të pajisem me shkresat e lëndës, procesi i sotëm të shtyhet për një kohë të arsyeshme”, ka deklaruar ai.
Në seancë mungon i akuzuari Jashari, i cili ndodhet në arrati, andaj Prokuroria ka propozuar që gjykimi ndaj tij të zhvillohet në mungesë.
Seanca është shtyrë për 23 dhjetor.
