Politikani Petrit Selimi, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka paralajmëruar se qetësia që po mbizotëron aktualisht në Kosovë mund të jetë vetëm e përkohshme, ndërsa pakënaqësia qytetare, sipas tij, është duke u grumbulluar për shkak të problemeve ekonomike dhe zhvillimeve të ndryshme në vend.
Selimi ka treguar edhe një rast që, sipas tij, e kishte parë personalisht gjatë ditës së sotme. Ai tha se derisa po udhëtonte me automobil, kishte parë 11 zyrtarë policorë në rrugë pa kapela.
“Qe tri vjet policët e Kosovës nuk kanë kapela”, është shprehur Selimi, duke e përdorur këtë shembull për të ngritur çështjen e kushteve dhe pajisjeve me të cilat përballen zyrtarët policorë.
Duke folur për gjendjen e përgjithshme në vend, ai ka thënë se pas dy vitesh përplasje dhe tensione politike, aktualisht po vërehet një lloj qetësie, të cilën e konsideron si një periudhë të përkohshme.
Sipas tij, kjo qetësi është vërejtur edhe në reagimet qytetare për çështje të ndryshme, përfshirë protestat në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rastet e vrasjeve dhe dhunës në familje.
Megjithatë, Selimi ka paralajmëruar se mungesa e protestave të mëdha nuk do të thotë se qytetarët janë të kënaqur me gjendjen aktuale.
Ai ka përmendur veçanërisht qytetarët që kanë vështirësi në përballimin e faturave të energjisë elektrike, pakënaqësitë lidhur me procesin në Hagë dhe çështje të tjera ekonomike e shoqërore.
Sipas tij, të gjitha këto shqetësime mund të ndikojnë në rritjen e pakënaqësisë dhe në mobilizimin e qytetarëve për të dalë në protesta.
“Kjo është qetësi para stuhisë”, ka qenë paralajmërimi i Selimit, i cili vlerëson se pakënaqësia e qytetarëve nuk mund të mbetet e heshtur pafundësisht.
