Është identifikuar shqiptari që u vra me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën Alicante të Spanjës. Viktima është Luka Beqiraj, 39 vjeç, nga Vlora, i cili u qëllua për vdekje teksa ndodhej në tarracën e një lokali.
Policia spanjolle dyshon se vrasja mund të ketë lidhje me një larje hesapesh. Sipas mediave lokale, hetuesit e Guardia Civil po shqyrtojnë mundësinë e një konflikti kriminal, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e ngjarjes.
Viktima Luka Beqiraj, nga Vlora, një emër i njohur më parë për autoritetet shqiptare dhe italiane për shkak të përfshirjes së tij në çështje penale që lidhen me plagosjen e rëndë, trafikun ndërkombëtar të drogës dhe grupet e strukturuara kriminale.
Mënyra se si është kryer vrasja ka ngritur dyshime te hetuesit se mund të bëhet fjalë për një ekzekutim të planifikuar dhe të kryer me pagesë. Autoritetet po hetojnë gjithashtu mundësinë e lidhjes së krimit me rrjetet e organizuara kriminale që veprojnë në këtë pjesë të Spanjës.
Kush ishte Luka Beqiraj?
Luka Beqiraj rezulton të ketë pasur përplasje me drejtësinë që prej vitit 2016, kur u arrestua në Vlorë, në moshën 28-vjeçare, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.
Tre vite më vonë, në vitin 2019, emri i tij u përfshi në një tjetër dosje penale, këtë herë me përmasa ndërkombëtare. Beqiraj u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët antidrogë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane nën akuzat për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në vitin 2020, Luka Beqiraj, atëherë 32 vjeç, u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh për përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale të trafikut të drogës.
Vrasja në Spanjë, dyshimet për një ekzekutim të porositur
Vrasja e Luka Beqirajt në Orihuela Costa ka rikthyer vëmendjen te aktiviteti i organizatave kriminale me origjinë nga Ballkani në bregdetin spanjoll, raporton A2CNN.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, mënyra e veprimit të autorit, afrimi në distancë të shkurtër, të shtënat ndaj viktimës dhe largimi i menjëhershëm me skuter elektrik, janë elemente që kanë ngritur dyshime për një sulm të organizuar paraprakisht.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që vrasja të jetë kryer nga një person i paguar, ndërsa po verifikohen edhe lidhjet e mundshme të viktimës me individë apo grupe të përfshira në veprimtari kriminale.
