Një shofer në Podujevë është ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u kap duke kryer tejkalim në vijë të plotë, veprim i cili përbën kundërvajtje në trafik.
Rasti është zbuluar pas publikimit të një videoje, në të cilën shihej vetura duke kryer tejkalimin e kundërligjshëm. Pas kësaj, zyrtarët policorë të stacionit në Podujevë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë arritur ta identifikojnë shoferin.
Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 200 eurosh, dy pikë negative, si dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtimit të automjetit për tre muaj.
Policia e Kosovës ka apeluar te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, duke theksuar rëndësinë e kujdesit dhe sigurisë në rrugë.
