Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur një deklarate të deputetes nga grupi i saj parlamentar, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj në foltore, pak më herët, foli për një fond të vitit 2020, duke thënë se atëherë qeveria u kishte ndarë para “bosëve të bizneseve”.
Osmani kishte aluduar te qeveria Hoti, kur Hykmete Bajrami ishte në krye të Ministrisë së Financave.
Bajrami e ka quajtur Osmanin “turiste politike” dhe “pa dinjitet”, duke thënë se po gënjen për këtë çështje dhe se fondet e ndara ishin për financimin e pagave të punëtorëve.
“Përgjigje turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull: Mos gënjeni! Në debatin e sotëm u dëgjuan shumë të pavërteta, prandaj disa gjëra duhet t’i sqarojmë. Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ‘bosave të biznesit’”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.
Bajrami ka thënë se për realizimin e asaj pakoje kanë punuar rreth 10 shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e buxhetit.
“Kriteri ka qenë i qartë: punëtorët duhej të figuronin në listën e pagave të ATK-së për tre muajt paraprakë. Ka qenë një nga pakot më transparente të mbështetjes financiare që janë realizuar ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës. Disa edhe mund të ma shihni për të madhe që po merrem me njerëz që sot mohojnë edhe biografitë e tyre, të cilëve u vjen turp të pranojnë se pjesë e cilave institucione dhe shumica kanë qenë dikur”, ka shkruar Bajrami.
Sa u përket standardeve të dyfishta, Bajrami ka thënë se janë “kampionë”.
“Për ta, e njëjta gjë është e drejtë ose e gabuar, varësisht nga karrigia ku janë ulur”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se këtë kishte ndërmend ta thoshte në Kuvend, por se nuk iu dha fjala.
Çfarë tha Osmani?
Duke akuzuar Qeverinë Kurti se veçse i kanë “ndërruar bosët e krimit” dhe se po “kontrollohen nga oligarkët”, Osmani ka folur për pakon e vitit 2020, duke thënë se ka qenë më kritikja ndaj saj.
“Por çfarë të them unë kur kritikohemi për standarde të dyfishta e dëgjojmë nga ju standarde të dyfishta. Mbrojtje të dështimeve, arsyetim të stagnimeve e jo duke e parë veten në pasqyrë me qëllim për t’u përmirësuar. Çka thanë për humbjen e fondeve, thanë që në vitin 2020 fonde iu kanë dhënë bosëve të biznesit. Po. Dhe a e dini kush ka qenë personi që e ka kritikuar më së shumti në atë kohë në këtë Parlament? E kam kritikuar unë. E çka ka ndodhur në ndërkohë është se ju veç i keni ndërruar bosët e krimit, i keni ndërruar oligarkët”, ka thënë Osmani në Kuvend.
