Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Qeverinë për qasjen ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke e akuzuar për shmangie të përgjegjësisë për ngecjet në këtë drejtim.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se në seancën e djeshme parlamentare, e cila ishte thirrur për të kërkuar përgjegjësi për ngecjet në rrugën evropiane të Kosovës, përfaqësuesit e Qeverisë e orientuan kritikën drejt Bashkimit Evropian, në vend që të fokusoheshin te përmbushja e rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Ky pushtet ka me kërku që, për me pasë Kosova progres, BE-ja duhet me hy në Vetëvendosje. E atëherë ua pranojnë kritikat BE-së. Dje e thirrëm seancën për të kërkuar përgjegjësi për ngecjet në rrugën evropiane të Kosovës. Por, duke i dëgjuar ministrat e pushtetit, të krijohej përshtypja se problemi ishte te Evropa që nuk po ua njihte sukseset. Madje dëgjuam edhe kërkesë që BE-ja të kërkojë falje e ta korrigjojë raportin”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.
Ajo i ka cilësuar si të turpshme përpjekjet e pushtetit për t’iu shmangur përgjegjësisë, duke thënë se Qeveria, në vend që të përmbushë rekomandimet, po kërkon llogari nga ata që e vlerësojnë.
“Është e turpshme deri ku ka arritur përpjekja për t’iu shmangur përgjegjësisë. Një pushtet që duhet t’i përmbushë rekomandimet, tash i kërkon llogari atij që na vlerëson. Nuk mbaj mend një përmbysje të tillë të logjikës së integrimit evropian në Kosovë. Për pushtetin e sotëm, të gjithë fajtor, vetëm që vetë të duken të pagabueshëm! Mjerë Kosova për mendësinë dhe humbjet që po ia shkaktoni!”, ka shkruar ajo.
