Sot, në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, u mbajt promovimi i librit “Ditari i një mësuesi në flakët e luftës – Kujtime, përjetime dhe dëshmi nga ditët e luftës”, i autorit të ndjerë Metë Nimani.
Promovimi u organizua në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të autorit, duke sjellë para të pranishmëve një dorëshkrim me vlerë të veçantë dokumentare dhe historike, të botuar duke ruajtur origjinalitetin e shkrimeve dhe dëshmive të autorit.
Në emër të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, fjalën përshëndetëse e mbajti dekani, Prof. Asoc. Dr. Ferdi Kamberi, ndërsa për jetën dhe biografinë e autorit foli kolegu dhe bashkëpunëtori i tij, Mal Haziri, duke sjellë kujtime dhe vlerësime për rrugëtimin jetësor e profesional të Metë Nimanit.
Vlerësime për librin dhe rëndësinë e tij dhanë recensentët Prof.Dr. Muhamet Gllagjani dhe Prof Dr. Blerim Canaj, të cilët veçuan vlerën dokumentare, historike dhe njerëzore të veprës.
Me kujtimet dhe vlerësimet e tyre për autorin dhe veprën, të pranishmëve iu drejtuan edhe Jahë Kokaj, ish-bashkëpunëtor i Metë Nimanit, Fatmir Limaj, luftëtar dhe bashkëveprimtar i periudhës së luftës, si dhe Hysen Brahimaj, koleg dhe njohës i afërt i autorit.
Promovimi u zhvillua nën moderimin e kryetares së Parlamentit të Studentëve të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Elda Gacaferi.
Në një atmosferë të veçantë kujtese dhe respekti, ky promovim riktheu në vëmendje figurën e Metë Nimanit dhe rëndësinë e ruajtjes së dëshmive personale e historike për brezat e ardhshëm.
Si djalë i autorit dhe redaktor përgjegjës i këtij libri, i falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit për praninë, respektin dhe kontributin e dhënë në këtë ngjarje të veçantë. Mirënjohja ime shkon për secilin që ndau me ne këtë moment kujtese dhe nderimi për jetën dhe veprën e babait tim.
