Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka kritikuar gjendjen e krijuar me mbeturinat në kryeqytet, duke e lidhur atë edhe me, siç tha, inatet politike ndërmjet institucioneve.
Duke folur në emisionin “Forum” në DTV Media, Retkoceri tha se situata me mbeturinat në Prishtinë është e papranueshme dhe se duket sikur dikush ua ka marrë inati qytetarëve.
Sipas tij, fatkeqësia më e madhe është se pasojat e përplasjeve politike po i vuajnë vetë qytetarët, të cilët nuk duhet të ndëshkohen për shkak të dallimeve apo rezultateve politike.
Retkoceri ngriti shqetësimin se problemi ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa qytetarët po përballen me kontejnerë të stërmbushur, mbeturina në hapësira publike dhe kushte të papërshtatshme higjienike në lagje të ndryshme të Prishtinës.
Ai tha se zgjidhja më e mirë për këtë problem do të ishte realizimi i projektit të financuar përmes kredisë prej 74 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
Sipas tij, ky projekt do të mundësonte modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave, furnizimin me kamionë të rinj, kontejnerë dhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme për riciklimin dhe përpunimin e mbeturinave.
Retkoceri ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për mosnënshkrimin e garancionit të nevojshëm për realizimin e financimit prej 74 milionë eurosh.
Projekti parasheh në fazën e parë 20 milionë euro kredi të butë dhe 4.1 milionë euro grant, për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe pajisjeve përcjellëse. Faza e dytë parasheh investime të tjera prej 50 milionë eurosh, përfshirë qendra të riciklimit dhe kompostimit.
Komuna e Prishtinës pretendon se mosnënshkrimi i garancionit nga Ministria e Financave po e pengon realizimin e projektit dhe po vonon zgjidhjen afatgjatë të krizës me mbeturinat.
Në anën tjetër, ministri Hekuran Murati ka deklaruar se Banka Gjermane për Zhvillim kërkon qëndrueshmëri financiare dhe institucionale të kompanisë rajonale “Pastrimi”, duke ia atribuuar problemet e saj keqmenaxhimit gjatë qeverisjes së Përparim Ramës.
Ndërkohë, situata në terren vazhdon të jetë shqetësuese. Drejtuesit e Komunës kanë bërë të ditur se po angazhojnë edhe kompani private për grumbullimin e mbeturinave, në përpjekje për të përmirësuar gjendjen deri në zgjidhjen e problemit me kapacitetet e ndërmarrjes “Pastrimi”.
