Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur në orët e para të mëngjesit procesin e startimit të njësisë A4 të Termocentralit Kosova A.
Përmes një njoftimi, KEK ka bërë të ditur se ky proces është fazë e domosdoshme teknologjike për rikthimin në operim të njësive që punojnë me linjit.
Gjatë ngrohjes graduale të kaldajës dhe stabilizimit të procesit të djegies, tymi që del nga oxhaku mund të jetë përkohësisht më i dukshëm.
Sipas KEK-ut, kjo fazë për njësinë A4 pritet të zgjasë rreth tri deri në katër orë.
Korporata ka kërkuar mirëkuptimin e banorëve të zonës dhe të Komunës së Obiliqit, duke theksuar se e kupton shqetësimin që mund të shkaktojë tymi i dukshëm.
Me përfundimin e procedurave të startimit, njësia A4 pritet të sinkronizohet së shpejti me rrjetin elektroenergjetik dhe të kalojë gradualisht në operim të qëndrueshëm, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
