Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpjekje të koordinuara për ta denigruar rolin e Presidentit Rugova”, duke iu referuar deklaratave të gazetarit Baton Haxhiu në Pressing në T7, ku ai përshkroi dy librat e tij të promovuar, “Brenda luftës” dhe “Kosova – Historia që zhbëri Jugosllavinë”.
Osmani tha se “Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë”.
Ajo i quajti shpifje deklaratat e Haxhiut për rolin e Rugovës.
“Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin”, shkroi ajo jë një postim në Facebook.
Osmani tha se gjatë mandatit të saj si presidente, liderët botërorë e kanë përmendur “vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave”.
“Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij”, shkroi ajo.
“Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova”, shtoi Osmani.
Ajo tha se “Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar”.
“Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme. Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË! Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë”, shkroi ajo.
