Ish-ministri i Drejtësisë, Astrit Haraqija, dyshohet se ishte i përfshirë në një grup të organizuar kriminal që merrej me furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në Prishtinë. Sipas dosjes së Prokurorisë, Haraqija dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, siguronte substanca narkotike për grupin e udhëhequr nga Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”.
Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë, në të cilën përshkruhen rolet e secilit prej tyre, komunikimet e përgjuara dhe provat e sekuestruara gjatë kontrolleve policore.
Sipas këtij dokumenti, hetimet kanë nisur më 27 prill të këtij viti, pas një raporti informues të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se Astrit Haraqija dyshohet se ishte njëri prej personave që furnizonte grupin me kokainë, bashkë me Mërgim Stanovcin (i ndodhur në arrati) dhe Alban Malokun.
Sipas Prokurorisë, Jeton Stanovci, i njohur si “Daja”, zhvillonte takime të rregullta me Mërgim Stanovcin dhe Astrit Haraqinë në objektin banesor në rrugën “Korabi” në Prishtinë, ku edhe banonte Haraqija.
Në këto takime, sipas dosjes, bëhej ndarja e substancave narkotike në sasi më të vogla, të cilat më pas i dorëzoheshin Gëzim Fekës për shitje dhe shpërndarje.
Prokuroria pretendon se furnizimi me kokainë gjatë periudhës së fundit ishte realizuar edhe nga i dyshuari Alban Maloku.
Një nga elementet e përmendura në dosje janë komunikimet e përgjuara mes Gëzim Fekës dhe një personi të identifikuar me pseudonimin “Ministri”, për të cilin Prokuroria thotë se është Astrit Haraqija.
Më 12 ma, rreth orës 00:36, Gëzim Feka ishte takuar me “Ministrin” në rrugën “Gucia”, afër objektit banesor “Lirimi”.
Pas takimit, Feka e kishte pyetur nëse ia kishte sjellë porosinë, duke i thënë: “Ku je Ministër, qa bone, ti ma prunë a?”, ndërsa personi i identifikuar si Haraqija ishte përgjigjur: “Hajt”.
Sipas Prokurorisë, rreth orës 03:25 të së njëjtës natë, Feka e kishte njoftuar Jeton Stanovcin se kishte pranuar sasinë e substancës narkotike të dorëzuar nga “Ministri” dhe se po e dërgonte në banesë.
Një tjetër komunikim i përmendur në dosje është ai i 25 majit 2026.
Atë natë, rreth orës 21:06, Gëzim Feka ishte takuar me “Ministrin” dhe e kishte furnizuar me një gram narkotik, në vlerë prej 30 eurosh. Sipas transkriptit, edhe dy gramë të tjerë i kishte premtuar se do t’ia dërgonte më vonë.
Dy minuta më pas, Feka e kishte njoftuar “Dajën” se kishte qenë te Ministri dhe se i kishte dhënë vetëm 30 euro.
Prokuroria e përmend edhe një komunikim të 3 qershorit 2026, në orën 03:39, kur Gëzim Feka ishte takuar sërish me “Ministrin” dhe ishte furnizuar prej tij me narkotikë në një qese.
Këto komunikime, sipas Prokurorisë, janë pjesë e masave të veçanta hetimore të autorizuara nga gjykata.
Çfarë iu gjet Haraqisë në banesë?
Më 14 nëntor 2026, Policia kishte kryer kontroll në banesën e Astrit Haraqisë, në rrugën “Korabi”, hyrja A, numri 68/1, në katin e nëntë në Prishtinë.
Sipas procesverbalit të kontrollit dhe sekuestrimit, në këtë lokacion janë gjetur dhe sekuestruar:
Një pistoletë e tipit CZ 100 me një karikator dhe gjashtë fishekë.
26 kartëmonedha nga 200 euro.
30 kartëmonedha nga 100 euro.
Një kartëmonedhë prej 50 eurosh.
Dy telefona të tipit iPhone, njëri me ngjyrë të gjelbër dhe tjetri me ngjyrë hiri.
Paratë e gjetura në banesën e tij arrijnë në gjithsej 8 mijë e 250 euro.
Prokuroria pretendon se Haraqija e mbante armën pa leje valide të lëshuar nga organi kompetent.
