Me pushkë gjuetie dhe 27 fishekë në brez, ndalohet 33-vjeçari në Podujevë – armën e kishte me leje, por dyshohet se shkeli kushtet e saj

Facebook
WhatsApp

Një 33-vjeçar është ndaluar për kontroll policor në fshatin Dyz të Podujevës, pasi është vërejtur duke mbajtur një pushkë gjuetie dhe 27 fishekë në brez. Ndonëse ka deklaruar se armën e posedonte me leje, ndaj tij është iniciuar rast penal për shkak të dyshimeve se nuk kishte respektuar kushtet e autorizimit.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Liridon Majkofci, rreth 33 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 21 nëntor, rreth orës 10:45, në fshatin Dyz.

Gjatë veprimeve policore, zyrtarët kanë vërejtur se Majkofci mbante me vete një pushkë gjuetie të tipit “Sarsilmaz”, ndërsa në brez kishte një rrip me 27 fishekë.

Pas ndalimit, ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit mbrojtës.

Gjatë intervistimit, 33-vjeçari ka deklaruar se posedonte leje për armën, por ka pranuar se nuk i kishte respektuar rregullat e përcaktuara me të.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rast penal për veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Me vendim të Prokurorit, Majkofci është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për sqarimin e rrethanave të rastit po vazhdojnë.

Related Posts