Një përplasje e rëndë mes dy automjeteve në Hajvali të Prishtinës ka lënë katër persona të lënduar, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Të lënduarit janë transportuar me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa hetimet fillestare kanë ngritur dyshime për mospërshtatje të shpejtësisë me kushtet e rrugës.
Aksidenti ka ndodhur të hënën, më 23 nëntor, rreth orës 09:20, në rrugën “Pavarësia” në Hajvali.
Sipas burimeve të Sinjalit, drejtuesja e automjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin është Majlinda Sadiku, rreth 31 vjeçe, ndërsa personat e tjerë të lënduar janë Muhamet Berisha, rreth 42 vjeç, Fahrije Berisha, rreth 50 vjeçe, dhe Fatmire Berisha, rreth 43 vjeçe.
Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjeret.
Njëra nga pasagjeret ka pësuar lëndime të rënda trupore, përfshirë fraktura në krah, brinjë dhe këmbë.
Përveç lëndimeve të personave, përplasja ka shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në të dy automjetet.
Bazuar në ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe pozicionin e automjeteve pas përplasjes, dyshimet fillestare të hetuesve janë se aksidenti mund të jetë shkaktuar nga mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës nga drejtuesja e automjetit të parë.
Pas përfundimit të ekzaminimeve, të dy automjetet janë larguar me autobartës, ndërsa rruga është liruar për qarkullim.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe po trajtohet nga Njësia e Trafikut Rrugor për Kryeqytetin.




















