Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim përfaqësues të disa organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, përkatësisht Lëvizjes FOL, Institutit Kosovar për Drejtësi (IKD), Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe të organizatës Demokraci për Zhvillim (D4D), ka njoftuar Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Kryetarja Haxhiu i njoftoi përfaqësuesit e shoqërisë civile për angazhimet e Kuvendit dhe agjendën e ngjeshur legjislative që ka përpara, si dhe për rëndësinë që ka ekspertiza e tyre në këtë proces.
Kryetarja Haxhiu tha se këto organizata e njohin mirë punën e Kuvendit, duke ndjekur seancat, analizuar projektligjet para miratimit dhe duke hartuar raporte që ndihmojnë Kuvendin në identifikimin e fushave ku nevojiten përmirësime.
“Shoqërinë civile e shoh si aleate dhe partnere, jo si vëzhguese nga anash. Prandaj, këto takime do të vazhdojnë edhe me përfaqësues të organizatave të tjera. Një Kuvend i hapur ka nevojë për një shoqëri civile aktive, që e ndjek nga afër punën e tij dhe e thotë hapur mendimin e vet”, theksoi Kryetarja e Kuvendit.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile, nga ana e tyre, folën për sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen, si dhe ndanë ide konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit dhe të punës parlamentare.



















