Qeveria Kurti po vazhdon “përforcimin” e diplomacisë me ambasadorë politikë.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar edhe një aktivist të VV-së për ambasador.
Nga Presidenca kanë thënë se Mjeku shumë shpejt pritet të dekretohet nga shefja e shtetit.
Kjo pasi tashmë propozimi i tij është miratuar edhe në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Punë të Jashtme.
Mjeku është aktivist i njohur i partisë së Albin Kurtit.
Ai ka qenë edhe kandidat për deputet i VV-së në zgjedhjet e vitit 2021.
Meqenëse nuk kishte arritur të marr besimin e qytetarëve për deputet, ai ishte emëruar fillimisht si zëvendësministrit të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Kurse, në shtator të vitit 2022 ai është emëruar zëvendësministër i Ekonomisë.
Të njëjtin post, ai e ka marrë edhe në Qeverinë Kurti 4, ku në shtator të këtij viti është emëruar serish si zëvendësministër i parë i Ekonomisë.
Mjeku është propozimi pestë i Qeverisë Kurti nga radhët e të emëruarve politikë.
Gazeta Nacionale dje ka raportuar se në Presidencë kanë shkruar edhe emrat e katër propozimeve tjera për ambasador.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, është propozuar për ambasador të Republikës së Kosovës në Senegal.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, është propozuar për ambasador të Republikës së Kosovës në Japoni.
Ish-këshilltari i Kurtit, Fatmir Curri, është propozuar për ambasador të Republikës së Kosovës në Bruksel dhe mbështetësja e VV-së, Hasnija Ilazin është propozuar për ambasadore të Kosovës në Zagreb të Kroacisë.




















