Analisti Burim Ejupi, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka folur për strukturën e buxhetit të Kosovës, duke vlerësuar se ai në masë të madhe është përsëritje e buxheteve të viteve të kaluara.
Sipas Ejupit, buxheti mbështetet në pesë shtylla kryesore, ku pjesën më të madhe të mjeteve e zënë pagat e sektorit publik, përfshirë mjekët, mësimdhënësit, policët dhe shërbyesit e tjerë civilë.
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit, sipas tij, ndahet për transfere, ku përfshihen pensionet dhe skemat e ndryshme të ndihmës sociale. Ndërsa pjesa tjetër destinohet për investime kapitale dhe kategori të tjera të shpenzimeve publike.
Buxheti i Kosovës për vitin 2026 është rreth 3.96 miliardë euro. Sipas ndarjeve zyrtare, për paga dhe shtesa janë planifikuar rreth 980.4 milionë euro, ndërsa për subvencione dhe transfere rreth 1.36 miliardë euro. Për investime kapitale janë ndarë afërsisht 998.4 milionë euro.
Sipas analizës së Institutit GAP, shpenzimet kapitale përbëjnë rreth 25 për qind të buxhetit, ndërsa subvencionet dhe transferet rreth 34 për qind. Instituti ka vënë në pah edhe se mbi 81 për qind e buxhetit për projektet kapitale është i destinuar për projekte që vazhdojnë nga vitet e kaluara.




















