Gazetari Fiton Dibrani, në emisionin “Forum” në DTV Media, ka komentuar projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2027, duke shprehur kritika për mënyrën se si është ndërtuar dhe për prioritetet e tij.
Dibrani ka vlerësuar se ky buxhet paraqet vazhdimësi të qasjes së Qeverisë, e cila, sipas tij, është më shumë e përqendruar te numrat dhe shifrat sesa te rezultatet konkrete për qytetarët.
Ai ka thënë se rritja reale e buxhetit është minimale, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mjeteve vazhdon të shkojë për transfere sociale, përfshirë pensionet dhe skemat e ndryshme të mbështetjes financiare.
Gazetari ka ngritur shqetësime edhe për investimet kapitale, duke theksuar se shumë prej projekteve të parapara për vitin e ardhshëm janë vazhdimësi e projekteve të viteve paraprake dhe se nuk vërehen investime të reja që do të sillnin zhvillim të mirëfilltë.
Sa i përket shifrave, projektbuxheti për vitin 2027 parashihet të jetë rreth 4.27 miliardë euro, afërsisht 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.
Sipas ndarjeve të publikuara, rreth 1.45 miliard euro janë planifikuar për subvencione dhe transfere, 1.085 miliard euro për paga dhe shtesa, ndërsa rreth 1.07 miliard euro për investime kapitale. Për mallra dhe shërbime janë paraparë rreth 547 milionë euro.
Projektbuxheti tashmë i është dërguar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.




















