Kohët e fundit ka shumë deklarime se Kosova është në një rrezik për luftë dhe se duhet të përgatitet për një konflikt të mundshëm ushtarak. Përveç kësaj, krahas Republikës së Moldavisë, Kosova po krahasohet si shteti i dytë më i rrezikuar në Evropë për sulm.
Historiani i njohur zviceran, Oliver Jens Schmit ditë më parë ka thënë se Kosova duhet të bëjë përgatitje serioze për një konflikt të mundshëm ushtarak. Sipas tij, qeveria serbe, është nën një presion të madh dhe mund të përpiqet të organizojë një konflikt me Kosovës. Ai ka tërhequr vërejtjen se Serbia është riarmatosur masivisht viteve të fundit.
E sipas ekspertëve të sigurisë dhe historianëve, institucionet e sigurisë, duhet të kenë vëmendjen e shtuar sa i përket çfarëdo kërcënimi që mund të vije nga Serbia dhe të bashkëpunojnë edhe me aleatët, e institucionet ndërkombëtare që janë në vend, si KFOR-i.
Sipas tyre, sfidat janë shumë serioze e kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, për KosovaPress, ka përjashtuar një mundësi rikthimi të luftës, për aq kohë sa është Kosova brenda orbitës së NATO-s.
