Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, edhe një herë nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se a ka siguruar votat për krijimin e qeverisë së re, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nga gazetarët pas përurimit të pikëkalimit të përbashkët kufitar “Hani i Elezit – Bllacë”, që u organizua nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, Kurti zgjodhi të mos e komentojë këtë çështje.
Ai u fokusua në ceremoninë e përbashkët, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërqeveritar dhe realizimin e shpejtë të marrëveshjeve.
“Mbledhja e dy qeverive ka qenë në nëntor, ju po e shihni sa shpejt e mirë është realizuar në prill, urime të gjithëve. Besoj që kjo mbledhje që kemi mbajtur në nëntor në Prishtinë, mes dy qeverive, ka qenë vendimtare me protokollin e zbatimit për një realizim konkret, praktik dhe të shpejtë”, ka thënë ai.