Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Qeverisë, duke e cilësuar projektbuxhetin nacional si jokushtetues për shkak të injorimit të kryeqytetit.
Sipas tij, është e pashpjegueshme se si buxheti i shtetit nuk e merr parasysh vendimmarrjen autonome të Prishtinës.
Abdixhiku tha se buxheti duhet të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, duke kërkuar që kërkesat e kryeqytetit të integrohen menjëherë në dokumentin nacional.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që s’e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet, dhe së këndejmi bëhet menjëherë jokushtetues. Paradoksalisht, ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet”, tha ai në Kuvend.
Lideri i LDK-së dha edhe detaje kronologjike, duke sqaruar se Prishtina e ka kryer punën e saj me kohë, por ky fakt është shpërfillur nga niveli qendror.
“Prishtina e ka miratuar buxhetin më 6 shkurt 2026, ndërsa buxheti nacional është sjellë në Kuvend për herë të parë më 13 shkurt. Nuk ka asnjë arsye as ligjore, as logjike e as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës”, u shpreh Abdixhiku.
