Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij e mirëpret çdo përpjekje për të dalë nga kriza institucionale, përfshirë edhe takimin e përbashkët të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku theksoi nevojën për ide të reja që mund ta çojnë përpara një nismë të tillë.
“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja. Insistimi në të vjetrat, edhe në takim, nënkupton komfort dhe bllokim të mëtejmë.”
Ai rikujtoi propozimin e bërë nga LDK një javë më parë, që sipas tij, mbetet i vetmi në skenë dhe është “i përgjegjshëm dhe shtetar”.
“Javën e shkuar LDK-ja dha një zgjidhje. Ajo, deri më tani, mbetet alternativa e vetme e propozuar në skenë. Nuk është ideale, por gjithsesi mbetet e përgjegjshme dhe shtetare.”
Abdixhiku shtoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale dhe se propozimi i tyre synon një Qeveri Nacionale të Tranzicionit me mandat të kufizuar.
“Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje me shumë përfitime për vendin, sepse, më shumë se dëshirat partiake, Kosova ka nevojë për institucione funksionale. Këtë propozim do ta paraqesim dhe në takimin në fjalë.”
Ai tha se propozimi nuk synon ndarjen e pushtetit, por zhbllokimin e krizës dhe adresimin e menjëhershëm të problemeve të qytetarëve.
“Jo për ta zgjedhur pushtetin, por për ta zgjidhur nyjën e krizës. Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur atë nga paraliza institucionale.”
Në fund, Abdixhiku kritikoi qëndrimet e tjera politike që nuk shoqërohen me shumicë reale.
“Si përgjigje ndaj propozimit tonë, fatkeqësisht deri më tani kemi dëgjuar vetëm insistim në dëshira të njëjta partiake që nuk përcillen me një shumicë reale. Edhe sot, një javë nga dhënia e idesë e 3-4 seanca të mërzitshme pas, Kosova mbetet në gjendjen e njëjtë”.