Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se partia e tij “e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike”.
Ai thotë se për zgjedhjen e presidentit “përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare”.
Në të njëjtën kohë, Abdixhiku deklaron se “LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë”.
Abdixhiku thekson se “LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve”.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.
Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.
Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.
Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.
Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë.
Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.
Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin.
