Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Kreshnik Ahmeti, po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit, i cili po mbahet këto ditë në Greqi. Në kuadër të këtij forumi, më 11 prill 2025, Zëvendësministri Ahmeti ka zhvilluar një takim me Zëvendësministren për Punë të Jashtme të Greqisë, znj. Alexandra Papadopoulou.
Gjatë takimit, u vlerësua mbështetja e Greqisë për Kosovën në proceset integruese rajonale dhe evropiane. Zëvendësministri Ahmeti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, dhe e ftoi znj. Papadopoulou për një vizitë në Kosovë.
Në qendër të diskutimit në mes të dy homologëve ishin avancimi i marrëdhënieve bilaterale, forcimi i shkëmbimeve ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e zgjerimit dhe përparimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.