Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot rreth orës 13:00 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 7-të në drejtimin Prizren–Morinë. Në aksident janë përfshirë një veturë e tipit VW Tiguan dhe një kamion Mercedes.
Sipas Policisë së Kosovës, një pasagjere ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve të rënda. Vdekja e saj është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Njësitet policore dhe prokurori kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion. Hetimet janë në proces.
Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave për të shmangur raste të tilla tragjike.