Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se pas një aksidenti të ndodhur sot (e mërkurë), në të cilin është përfshirë një kamion, është krijuar bllokim i pjesshëm i trafikut në segmentin që lidh rrethrrotullimin te pompa e derivateve Shell në “Veternik” me kyçjen në rrugën Fushë Kosovë – Pejë në fshatin Bresje.
Aktualisht, në këtë aks rrugor është i hapur vetëm një shirit i komunikacionit, çka ka shkaktuar mbingarkesë të madhe të trafikut në drejtim të Fushë Kosovës dhe Pejës, sipas Ministrisë.
Ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë që, përkohësisht, të zgjedhin rrugë alternative, derisa të bëhet rikthimi i plotë i qarkullimit në këtë segment.
“Ekipet tona janë në terren dhe së bashku me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e gjendjes në normalitet sa më parë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Është raportuar se një kamion në daljen për Fushë-Kosovë nga “Veterniku” është aksidentuar dhe ka marrë flakë.