Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, duke e quajtur këtë rast dëshmi të “fytyrës së vërtetë” të qeverisë së Albin Kurtit.
Në një postim në Facebook, Musliu-Shoshi tha se çdo ditë po i bie maska një qeverie që ishte betuar për “ndershmëri e transparencë”.
Sipas saj, dorëzimi i aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës tregon se pushteti aktual “predikon moral, por e dëmton shtetin me gati 3 milionë euro”.
“Shteti nuk ndërtohet me propagandë, por me përgjegjësi. Drejtësia duhet të veprojë pa frikë dhe pa mëshirë ndaj pushtetit abuzues,” ka përfunduar ajo.
