Gjykata e Apelit e ka ktheyr në rigjykim rastin e të akuzuarit Bujan Makollit, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor për posedim të 57.62 gramëve kokainë dhe për posedim të paautorizuar të 25 fishekëve. Ndaj tij, Gjykata kishte shpallur aktgjykim dënues duke e dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë e 500 euro gjobë.
Themelorja përmes vendimit të 24 tetorit 2024, të akuzuarin Makolli e kishte dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë për posedim të 57.62 gramëve kokainë, derisa posedim të paautorizuar të 25 fishekëve e dënoi me 500 euro. Për dënimin me gjobë, Gjykata kishte shpallur dënim unik me 5 mijë e 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtja e Makollit, avokati Fanol Krasniqi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin.
Avokati kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që i akuzuari të lirohet nga akuza, apo të aprovohet ankesa dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje, ose të zbutet sanksioni penal ndaj të akuzuarit.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një shkrese kishte propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Makolli të refuzohet si e pabazuar, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të marrë më 12 mars 2025 gjeti se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij, andaj aprovoi ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer në rigjykim rastin.
Cilat janë gjetjet e Apelit?
Kolegji i Apelit pasi ka vlerësuar dhe studiuar aktgjykimin e shkallës së parë sipas ankesës së mbrojtjes dhe shkresave të lëndës, ka ardhur në përfundim se dispozitivi i aktgjykimit në pikën I, nuk është i qartë, i kuptueshëm, dhe në harmoni me vetveten, si dhe arsyet e dhëna, sidomos sa i përket fillimit të kryerjes së veprës penale, ku jepet një datë tjetër, kurse në faqen 10 të arsyetimit jepet datë tjetër.
“Këto dy data na japin të kuptojmë se është një afat kohor, i fillimit të kryerjes së veprës penale dhe konstatimeve të brendshme, që nuk korrespondojnë dhe nuk janë në harmoni njëra me tjetrën, përkundër asaj që gjykata e shkallës së parë duhet të përkujdeset që të njëjtët të zbatohen dhe të gjitha veprimet procedurale gjatë mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, konsistojnë në atë se gjykata duhet të bëjë vlerësimin e të gjitha provave të proceduara, për të ardhur deri te një formulim se në veprimet e të akuzuarit a janë formuluar elementet inkiminuese të veprës penale, dhe të kenë përputhje të plotë në mes vete”, thuhet në vendim.
Shkalla e dytë vlerëson se Themelorja është dashur që të përkujdeset që gjatë punës të respektojë në plotni nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale përkitazi me sekuestrimin e përkohshëm, si dhe të zbatohen edhe dispozitat ligjore të parapara me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Po që se vlerësohet dispozita ligjore e Kushtetutës, rezulton se e drejta e privatësisë duhet të jetë, e drejtë që e gëzon secili person si dhe familja e tij, që duhet të jetë e drejtë e pa cenueshme, e banesës dhe fshehtësia e korrespodencës telefonisë, si dhe komunikimeve të tjera, që në rastin konkret rezulton se e njëjta nuk është respektuar në masë të duhur”, thuhet në vendim.
Andaj, sipas Apelit, nga ky mosrespektim në masë të duhur rezulton që është shkelur neni 8 i KEDNJ-së, e që gjykata e shkallës së parë është dashur që të përkujdeset që secili veprim të ndërmerret në përputhje me ligjin, duke respektuar privatësinë e individit, si dhe parimin e ligjshmërisë, që është krucial për fillimin e ndjekjes penale.
Në rigjykim, Apeli thekson se Themelorja duhet thirrur të gjitha palët e propozuara për shqyrtim gjyqësor, sipas rrjedhës së procedurës, e të nxjerrë edhe prova të tjera, për të vërtetuar saktë datën e fillimit të kryerjes së veprës penale, të vërtetojë saktë dhe qartë se kur ka filluar kryerja e veprës penale dhe ndërmarrja e veprimeve për kontrollin e banesës nga ana e personave të autorizuar, duke e vërtetuar veprimin e ndërmarrë, për të marrë vendim përkatës, i cili është i rëndësishëm për veprimet e mëtutjeshme procedurale.
“Veprimet të cilat duhet ti ndërmerr gjykata e shkallës së parë, duhet të jenë në lidhje të pa shkëputura në dispozitat përkatëse ligjore, e sidomos kur të ketë parasysh se e drejta e privatësisë, si e drejtë senzitive për personalitet, dhe vazhdimisht duhet të jetë e zbatueshme, sikurse kërkohet me dispozitat përkatëse ligjore”, thuhet në vendimin e Apelit.
Në fund, thuhet se pasi që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të proceduarës penale, për bazat tjera ankimore, nuk është shqyrtuar.
Ndryshe, me parashtresën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të datës 12 mars 2024 ishte bërë precizimi i aktakuzës lidhur me përcaktimin dhe përshkrimin e saktë të peshës së narkotikut. Ashtu që sasia e narkotikut kokainë duhet të jetë në peshën e përgjithshme prej 57.62 gram e jo siç është përshkruar pesha prej 159.89 gram, në dispozitivë të aktakuzës.
Sipas aktakuzës fillestare, i akuzuari Bujan Makolli akuzohet se më 8 dhjetor 2022 në Prishtinë, ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, ashtu që pas ndaljes me rastin e bastisjes dhe kontrollit nga ana e hetuesve te DHTN-së gjatë kontrollit fizik dhe veturës së të akuzuarit, i janë gjetur dhe sekuestruar një cigare -gjojtë (cigare e përzier me marihuanë), në peshë prej 0.45 gramëve, shuma e parave 1 mijë e 325 euro, 180 CHF, një telefon celular Iphone 12 mini, ngjyrë e kaltër me kartelë të IPKO -s.
Po ashtu, thuhet se edhe gjatë kontrollit të banesës së tij i janë gjetur dhe sekuestruar 7 qese plastike të tejdukshme të ndara me foli najloni të llojit kokainë me peshë prej 159.89 gram (e ndryshuar me parashtresën e datës 12 mars 2024), të përgatitura për shitje, qese plastike të tejdukshme me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 4.07 gram, një mulli – grinder që shërben për bluarje të marihuanës, 25 copë fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe 1 telefon i tipit Nokia, ngjyrë e zezë me kartelë Vala, të cilat janë sekuestruar nga ana e Policisë.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.1 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Makolli ngarkohet se deri më 8 dhjetor 2022, në rrugën “Eqrem Qabej” në Prishtinë ka mbajtur në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar 25 copë fishekë të kalibrit 9x19mm.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.