Klinika e Syve në QKUK është pajisur për herë të parë me aparaturë të avancuar për ofrimin e shërbimit të ri të angiografisë fluoresceinike automatike të retinës, me rezolucion ultra të lartë për imazheri (foto dhe video) dhe fushë të gjerë pamjeje. Kjo teknologji e re mundëson diagnostikim më të saktë dhe më të shpejtë të sëmundjeve të retinës, duke përmirësuar ndjeshëm kujdesin për pacientët.
Paraprakisht është realizuar edhe përgatitja e plotë e infrastrukturës për kabinetin e angiografisë së retinës, duke krijuar kushte moderne për ofrimin e këtij shërbimi të specializuar.
Po ashtu, Klinika e Syve ndodhet në fazën finale të furnizimit me:
aparaturë të avancuar për operacione të kataraktës me metodën e fakoemulsifikimit
mikroskop operativ për ndërhyrje në segmentin e përparmë dhe të pasëm të syrit
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, theksoi se këto investime janë dëshmi e përkushtimit për një shëndetësi publike më cilësore, më moderne dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët.
Me këto pajisje të reja, pritet të rritet ndjeshëm cilësia dhe numri i shërbimeve oftalmologjike që ofrohen në QKUK, duke ulur pritjet dhe nevojën për referime jashtë vendit.
