Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për vazhdimin e investimeve të rëndësishme në fushën e kardiologjisë, me fokus përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët dhe lehtësimin e punës së stafit shëndetësor.
Në Spitalin e Prizrenit është transformuar Njësia Koronare, e cila tashmë ofron trajtim dhe monitorim më të sigurt për pacientët me sëmundje akute të zemrës. Ndërkohë, në QKUK, Klinika e Kardiologjisë është pajisur jo vetëm me infrastrukturë moderne, por edhe me një angiograf të ri, duke rritur ndjeshëm kapacitetet diagnostikuese dhe ndërhyrëse.
Sipas Vitisë, këto investime sjellin shërbime më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët, si dhe krijojnë kushte më të mira pune për mjekët dhe infermierët.
Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë shtetin e Luksemburgut për mbështetjen, si dhe stafin shëndetësor për përkushtimin dhe punën e palodhshme në shërbim të pacientëve.
“Po ndërtojmë një sistem shëndetësor më funksional, më modern dhe më afër nevojave të qytetarëve,” ka theksuar Vitia.
